Skip to content
Advertisements

Ejani Për Në Namaz

Namazi në Islam gëzon një pozitë të lartë dhe një rëndësi të veçantë, është si koka në lidhje me trupin. Pra siç nuk mund të paramendohet trupi pa kokë, ashtu nuk mund të paramendohet Islami pa namaz.
– Mirësitë dhe dobitë e namazit:

[1] Namazi është bërë obligim mbi shtatë qiejt pa ndërmjetës kur ishte Profeti salallahu alejhi ue selem natën e Miraxhit, ndërsa të gjitha ibadetet e tjera janë bërë obligim kur Profeti salallahu alejhi ue selem ishte në tokë, nëpërmjet Xhibrilit alejhi selam, gjë e cila tregon për shenjtërinë dhe rëndësinë e namazit.

[2] Namazi është kushti i vetëm i cili përsëritet çdo ditë pesë herë dhe nuk bie ky obligim në asnjëlloj gjëndje: luftë apo paqe, frikë apo siguri, sëmundje apo shëndet, udhëtim apo qëndrim, i lirë apo rob, me punë apo papunë, përveç femrave që janë me hajd ose nifas.

[3] Tregon për rëndësinë e namazit fakti që për të janë ngritur xhamitë, është ligjëruar thirrja për namaz [ezani], është bërë detyrë përgatitja për namaz me pastrim [gusl ose abdes], me veshjen e përshtatshme, me drejtim nga kibleja, me lënien pas të dunjasë. Gjithashtu në namaz angazhohen të gjitha pjesët e trupit duke filluar nga zemra, mendja, gjuha e të gjitha gjymtyrët.

[4] Namazi është shtylla më e rëndësishme pas shehadetit, e nëqoftëse bie kjo shtyllë bie ajo që është ndërtuar mbi të. Namazi është kënaqësia e muuehidinëve.

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Islami është ngritur mbi pesë shtyllaëshmia se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe haxhi.” [Transmeton Buhari dhe Muslim]

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Kreu i çështjes është Islami, shtylla e tij është namazi, ndërsa kulminacioni i tij është xhihadi në rrugë të Allahut.” [Transmeton Ahmedi, Tirmidhiu, Ibn Maxheh dhe e saktësoi Albani]

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Më është bërë e dashur nga dunjaja juaj gratë dhe era e mirë, dhe më është bërë kënaqësia ime në namaz.” [Transmeton Ahmedi, Nesai, e saktësoi Albani]

[5] Namazi është puna më e mirë, vepra më e pëlqyeshme, ibadeti më i vlefshëm.

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Vepra më e mirë është namazi në kohë të vet.” [Muttefekun alejhi]

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Dijeni se vepra më e mirë e juaja është namazi dhe nuk kujdeset për abdesin veçse besimtari.” [Transmeton Ahmedi, Hakimi, e saktësoi Albani]

[6] Namazi është argument për Islamin e robit, shenjë e besimit, mbrojtës i gjakut të njeriut.

Thotë Allahu i Lartësuar:”Nëqoftëse pendohen, e falin namazin, e japin zekatin, atëherë janë vëllezërit tuaj ne fe.” [Teube 11]

I tha një person Profetit salallahu alejhi ue selem kur ai po ndante plaçkat e luftës:”O i dërguari i Allahut, ki frikë Allahun!” Tha Profeti salallahu alejhi ue selem:”Mjerë ti, a nuk jam njeriu më i sinqertë [më i drejtë] që të kem frikë Allahun?!” Tha Halid bin Uelid:”A t’ia këpus kokën, o i dërguari i Allahut? Tha:”Jo, sepse ndoshta ai falet.” [Muttefekun alejhi]

[7] Namazi është tregues i sinqeritetit [vërtetësisë] dhe pastrim prej nifakut.

Thotë Allahu i Lartësuar:”Por ai nuk vërtetoi atë që duhej e as nuk u fal.” [Kijame 31]

Dhe thotë:”Dhe erdhën pas tyre pasardhës që e lanë namazin dhe pasuan epshet. Ata do të hidhen në çdo të keqe [Gaja].” [Merjem 59]

Dhe thotë:”Me të vërtetë munafikët përpiqen ta mashtrojnë Allahun, por Allahu i mbizotëron dinakëritë e tyre. Ata edhe kur falen, falen me përtaci sa për tu dukur tek njerëzit dhe fare pak e përmendin Allahun.” [Nisa 142]

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Kush falet 40 ditë në xhemat për hir të Allahut duke e arritur tekbirin fillestar, i shkruhen atij dy pastrime: pastrim [shpëtim] nga zjarri dhe pastrim nga nifaku.” [Transmeton Ahmedi, e saktësoi Albani]

[8] Namazi është urdhër i Mëshiruesit, Sunduesit Fisnik.

Thotë Allahu i Lartësuar:”Dhe faleni namazin dhe jepeni zekatin dhe faluni me ata që falen.” [Bekare 43]

Dhe thotë:”Ruani namazet dhe namazin e mesëm, dhe ndaj All-llahut të jeni respektues [në namaze].” [Bekare 238]

Dhe thotë:”Dhe fale namazin që të më përkujtosh Mua.” [Ta-Ha 14]

Dhe thotë:”Dhe falu për Zotin tënd dhe prej kurban.” [Keuther 2]

Dhe thote:”Lexoje atë që po të shpallet nga Libri dhe fale namazin.” [Ankebut 45]

Dhe thotë:”Dhe i frymëzuam ata [pejgamberët] që të bëjnë punë të mira dhe ta falin namazin.” [Enbija 73].

Ky urdhër për faljen e namazit u është drejtuar profetëve më parë, po ashtu Profetit salallahu alejhi ue selem, pasuesve të tij si dhe t’i urdhërojnë familjet e tyre për namaz siç thotë Allahu i Lartësuar:”Dhe urdhëro familjen tënde që të falin namazin dhe bëj durim në faljen e tij.” [Ta-Ha 132]

I tha Lukmani djalit të tij duke e porositur:”O biri im, fale namazin, urdhëro për të mira, ndalo nga të këqijat dhe bëj durim ndaj çfarë të godet. Me të vërtetë kjo është nga punët më të mira [më të zgjedhura].” [Lukman 17]

Dhe thotë:”Përkujto në Libër Ismailin, ai ishte që i përmbushte premtimet, ishte i dërguar, profet. E urdhëronte familjen e tij me namaz dhe zekat. Zoti i tij ishte i kënaqur me të.” [Merjem 54-55].

Thote Profeti salallahu alejhi ue selem:”Urdhëroni fëmijët tuaj që të falen kur t’i mbushin 7 vjet, goditini nëse nuk falen kur t’i mbushin 10 vjet dhe ndani mes tyre në krevate [mos i lini të flenë bashkë në këtë moshë].” [Transmeton Ebu Daudi, Ahmedi, e saktësoi Albani]

[9] Namazi është porosia e fundit e Profetit salallahu alejhi ue selem kur po ndahej nga kjo botë, megjithë vuajtjet e mëdha që po përjetonte në ato çaste ku thotë:”Namazin, namazin! Dhe kini frikë Allahun në lidhje me çfarë keni nën posedim.” [Transmeton Ahmedi, e saktësoi Albani]

[10] Gjëja e parë për të cilën do jepet llogari është namazi.

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Gjëja e parë për të cilën do merret në llogari robi Ditën e Gjykimit është namazi; nese atë e ka mirë do i ketë mire të gjitha punët e tjera, e nëse atë nuk e ka mirë nuk do i ketë mirë punët e tjera.” Ndërsa në një transmetim tjetër:”Do shikohet namazi i tij, nëse e ka të mirë ka shpëtuar dhe kaluar, nëse nuk e ka të mirë ka humbur dhe ka dështuar.” [Transmeton Taberani, tha Albani:hadithi është sahih me rrugët e transmetimit që ka. Allahu ealem]

[11] Namazi është cilësi e popullit të shpëtuar, formulë e fitores dhe ndihmës.

Thotë Allahu i Lartësuar:”Kanë shpëtuar besimtarët; ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit.” [Muminun 1-2]

Dhe thotë më poshtë:”Dhe ata të cilët i ruajnë kohët e namazit, këta janë trashëgimtarët të cilët trashëgojnë xhenetin Firdeus, aty do të jenë përgjithmonë.” [Muminun 9-11]

Thotë Allahu:”Me të vërtetë njeriu është i prirur të jetë i padurueshëm. Kur e godet ndonjë e keqe ankohet së tepërmi, ndërsa kur e gjen ndonjë e mirë bëhet tepër koprrac, përveç atyre që falen, të cilët janë të vazhdueshëm në faljen e namazit.” [Mearixh 19-23]

Pastaj më poshtë thotë:”Dhe ata të cilët i ruajnë kohët e namazeve, këta janë në xhenete dhe janë të nderuar.” [Mearixh 34-35]

Thotë Allahu i Lartësuar:”Kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz.” [Bekare 45]

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Me të vërtetë Allahu e ndihmon këtë Umet me të dobëtit e tyre – me du’anë [lutjen], namazin dhe sinqeritetin e tyre.” [Transmeton Ebu Daudi, e bëri hasen Albani]

[12] Namazi është përgatitja për udhëtim, rehatia e shpirtit, qetësimi i gjymtyrëve, drita e zemrës, pastrim dhe çiltërsi e nefsit, argument i shpëtimit.

Thotë Allahu i Lartësuar:”Muhamedi është i dërguar i Allahut. E ata që janë me të janë të ashpër me pabesimtarët dhe të mëshirshëm me njëri-tjetrin. I sheh të përkulur [në ruku] dhe në sexhde, kërkojnë prej Allahut mirësi dhe kënaqësinë e Tij. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes.” [Fet’h 29]

Thoshte Profeti salallahu alejhi ue selem:”O Bilal, thirre ikametin, na qetëso me namaz.” [Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, e saktësoi Albani] dhe thotë:”Namazi është dritë.” [Transmeton Muslimi]

Dhe thotë:”Kush kujdeset për namazin do ketë dritë, argument dhe shpëtim ditën e gjykimit. Ndërsa kush nuk kujdeset për namazin nuk do të ketë as dritë as argument, e as shpëtim ditën e gjykimit, dhe do të jetë me Karunin, Faraonin, Hamanin dhe Ubejje bin Halef.” [Transmeton Ahmedi me zinxhir të mirë siç thotë Mundhiri]

[13] Namazi është zemërim për shejtanin dhe keqardhje për kafirat, të cilët duan t’i largojnë njerëzit nga ky adhurim.

Thotë Allahu i Lartësuar:”Me të vërtetë shejtani do që nëpërmjet alkoolit dhe bixhozit të fusë mes jush armiqësi dhe urrejtje e t’u largojë nga përmendja e Allahut dhe falja e namazit. Pra, a po i jepni fund.” [Maide 91]

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Kur lexon biri i Ademit ajet-sexhde dhe bie në sexhde, largohet shejtani duke qarë dhe thotë:”Mjerë unë, u urdhërua biri i Ademit të bëjë sexhde dhe bëri sexhde, prandaj i takon xheneti ndërsa u urdhërova unë dhe refuzova, prandaj më takon zjarri,” [Transmeton Muslim]

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Dy gjërat për të cilat jua kanë zili Jehudët më shumë se për çdo gjë tjetër janë: selami dhe bërja Amin [me zë, në namaz].” [Transmeton Ahmedi, e saktësoi Albani]

[14] Namazi është mjet për shpëtimin nga epshet, ndalon nga punët e këqija dhe veset e ndyra, largon sëmundjet e shpirtit dhe trupit.

Thotë Allahu i Lartësuar:”Me të vërtetë namazi ndalon nga punët e shëmtuara dhe të ndyra.” [Ankebut 45]

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Ruajeni namazin e natës sepse ai është morali i njerëzve të mirë para jush, është afrim tek Allahu, ndalon nga gjynahet, i shlyen të këqijat, i largon sëmundjet nga trupi.” [Transmeton Ahmedi,Tirmidhi, e saktësoi Albani]

[15] Namazi është sigurim prej zjarrit, mbrojtës nga fatkeqësitë, e arrin me të xhenetin, t’i ngre gradat, t’i fshin mëkatet.

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Nuk hyn në zjarr ai person që është falur para lindjes së diellit [namazi i sabahut] dhe para perëndimit të tij [namazi i ikindisë].” [Transmeton Muslimi]

Dhe thotë salallahu alejhi ue selem:”Kush e fal sabahun është nën mbrojtjen e Allahut.” [Transmeton Muslimi] Dhe thotë:”Kush i fal dy ‘të ftohtat’ hyn në xhenet.” [Transmeton Muslimi] Dy të ftohtat janë: namazi i sabahut dhe ikindisë.

I tha Profeti salallahu alejhi ue selem Theubanit:”Bëj shumë sexhde për Allahun sepse për çdo sexhde që ti bën, Allahu ta ngre një gradë dhe ta shlyen një gjynah.” [Transmeton Muslimi]

Dhe thotë:”Ç’mendoni sikur tek dera e ndonjërit prej jush të ishte një lumë i rrjedhshëm në të cilin lahet pesë herë në ditë, a do ngelte në të papastërti?” Thanë:”Jo.” Tha:”Kështu është shembulli i pesë namazeve me të cilat Allahu i fshin gjynahet.” [Muttefekun alejhi]

Dhe thotë:”Nuk ka musliman që kur i vjen namazi farz merr abdes mirë, përgatitet me frikë-respekt, e kryen mirë rukunë veçse do t’i falen gjynahet e mëparshme që i ka bërë për sa kohë që nuk bën gjynah të madh. Kjo vlen për gjatë gjithë kohës.” [Transmeton Muslimi]

Dhe thotë:”Nuk ka musliman që e plotëson abdesin dhe fal namaz me të veçse do t’ia falë Allahu gjynahet mes këtij namazi dhe atij që vjen.” [Transmeton Muslimi]

Dhe thotë:”Kush shkon në xhami ditën ose natën, i përgatit Allahu atij banesë në xhenet sa herë që shkon në xhami ditën ose natën.” [Transmeton Muslimi]

Dhe thotë:”Pesë namazet, xhumaja deri në xhuma, Ramazani deri në Ramazan i shlyejnë gjynahet mes tyre nese u largohet gjynaheve të mëdha.” [Transmeton Muslimi]

Dhe thotë:”Përgëzoji ata që ecin në errësirë për të shkuar në xhami se do të kenë dritë të plotë ditën e gjykimit.” [Transmeton Ebu Daudi,Tirmidhi, e saktësoi Albani]

[16] Namazi është gjëja e fundit që humbet nga kjo fe.

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Gjëja e parë që humbet nga njerëzit është amaneti [besa] dhe gjëja e fundit që ngelet është namazi.” [Transmeton Taberani, Tirmidhi, e ka përmendur Albani në Sahihul Xhami dhe e ka bërë hasen]

– Këshillë nga thellësia e zemrës për lënësin e namazit:

O lënës i namazit, çfarë të ngelet ty nga Islami kur ti ke lënë namazin?

O lënës i namazit, të gjitha krijesat i bien në sexhde Allahut vetëm ti jo!

Thotë Allahu i Lartësuar:”A nuk e di se Allahut i bën sexhde kush është në qiej e në tokë, edhe dielli, hëna, yjet, kodrat, bimët, kafshët dhe shumë njerëz. Po shumë janë që e meritojnë dënimin.” [Haxh 18] Nëse nuk falesh do jesh prej atyre që e meritojnë dënimin.

O lënës i namazit, a nuk e di se lënia e namazit është kufr dhe shirk? Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Mes njeriut, shirkut dhe kufrit është lënia e namazit.” [Transmeton Muslimi] Dhe thotë:”Besa [marrëveshja] mes nesh dhe atyre është namazi, kush e lë atë ka bërë kufr.” [Transmeton Ahmedi,Tirmidhi, e saktësoi Albani]

A nuk e di se lënia e namazit dhe mospërfillja e tij është nifak [hipokrizi]?

Thotë Allahu i Lartësuar:”Munafikët përpiqen ta mashtrojnë Allahun por Ai i mbizotëron dinakëritë e tyre. Dhe kur ngrihen për t’u falur, ngrihen me përtaci sa për t’u dukur tek njerëzit dhe nuk e përmendin Allahun veçse pak.” [Nisa 142]

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Namazi më i rëndë për munafikët është namazi i jacisë dhe i sabahut, e sikur ta dinin se çfarë ka në këto dyja do vinin qoftë dhe zvarrë.” [Muttefekun alejhi]

A nuk e di se lënia e namazit është shkujdesje dhe ngurtësim i zemrës?

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Le t’i japin fund [mosfaljes] ata të cilët nuk i falin namazet e xhumasë ose do t’ua vulosë Allahu zemrat, e pastaj do jenë prej të shkujdesurve.” [Transmeton Muslimi]

A nuk e di se lënia e namazit është humbje dhe fatkeqësi?

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Kush e lë namazin e ikindisë i ka humbur puna e tij.” [Transmeton Buhari] Dhe thotë:”Kujt i humb namazi i ikindisë është sikur t’i kishte humbur familja dhe pasuria e tij.” [Transmeton Buhari]

A nuk e di se lënia e namazit është shkak për dënimin me zjarr?

Thotë Allahu i Lartësuar duke treguar për banorët e zjarrit kur ata pyeten:”Çfarë ju futi juve në zjarr? Thanë: Ne nuk ishim prej atyre që faleshin.” [Mudethir 42-43]

A nuk e di se lënia e namazit është stres, ngushtim i gjoksit dhe jetë e vështirë?

Thotë Allahu i Lartësuar:”E kush largohet nga përkujtimi Im, do të ketë një jetë të vështirë dhe në ditën e gjykimit do ta ringjallim të verbër. [E ai] Do të thotë: O Zoti im, pse më ringjalle të verbër kur unë isha me sy? Thotë: Ashtu siç ti i harrove argumentet Tona kur ato të erdhën ty, ashtu je i harruar sot.” [Ta-Ha 125-126]

Pra mos e vono pendimin tënd, falu me ata që falen, bashkohu me safin e muslimanëve, largohu prej ushtrisë së shejtanit, bëhu nga të dashurit e Rrahmanit [Allahut].

– Disa këshilla të cilat ndihmojnë në ruajtjen e namazit dhe kryerjen e tij sipas formës së kërkuar, gjë e cila e bën namazin më të pranueshëm dhe më të vlefshëm, pasi thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Me të vërtetë robi falet por nuk merr nga namazi i tij veçse një të dhjetën, ose një të nëntën, ose një të tetën, ose një të shtatën, ose një të gjashtën, ose një të pestën, ose një të katërtën, ose një të tretën, ose gjysmën.” [Transmeton Ebu Daudi, Ahmedi, e bëri hasen Albani]

1. Merre abdesin në formën më të mirë dhe dil me abdes nga shtëpia.

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Nuk ka musliman që e plotëson abdesin, pastaj i fal dy rekate duke u përqendruar me fytyrën dhe zemrën e tij veçse i bëhet obligim atij xheneti.” [Transmeton Muslimi] Dhe thotë:”Kush del nga shtëpia e tij me abdes për të falur një namaz farz, do ketë shpërblimin e një haxhiu.” [Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, e bëri hasen Albani]

2. Kujdesu që të falësh namazin në filim të kohës së tij, kujdesu ta falësh me xhemat dhe ta zësh me tekbirin fillestar.

Ka lajmëruar Profeti salallahu alejhi ue selem se vepra më e mirë është namazi në kohën e vet, siç transmetohet në Buhari dhe Muslim. Dhe thotë:”Namazi me xhemat është më i mirë se namazi vetëm për 27 gradë.” [Muttefekun alejhi]

3. Lidhe zemrën tënde me shtëpitë e Allahut, shtoji hapat për atje, ec në këmbë dhe prite namazin pas namazit.

Ka përmendur Profeti salallahu alejhi ue selem 7 kategori njerëzish që do jenë nën hijen e Allahut ditën e gjykimit, prej tyre:”Dhe një person që zemra e tij është e lidhur me xhamitë.” [Muttefekun alejhi] Dhe thotë:”A t’ju tregoj se me çfarë jua shlyen Allahu mëkatet dhe jua ngre gradat: Plotësimi i abdesit në kohë të vështira, hapat e shumtë për në xhami dhe pritja e namazit pas namazit; kjo është fortifikatë, kjo është fortifikatë.” [Transmeton Muslimi] Dhe thotë:”Përgëzoji ata që ecin në errësirë për në xhami se do të kenë dritë të plotë ditën e gjykimit.” [Transmeton Ebu Daudi,Tirmidhi, e saktësoi Albani]

4. Mësoji rregullat e namazit, ruknet, vaxhibatet, sunetet, si falej Profeti në namaz.

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Faluni ashtu siç me keni parë mua duke u falur.” Dhe thotë:”Me të vërtetë Allahu e pëlqen nga robi i Tij që kur ai ta kryejë një vepër ta përsosë atë.”

Është e pëlqyeshme të lexohen ato libra që flasin rreth namazit dhe rregullave të tij duke e shoqëruar çdo gjë me hadithin përkatës.Tani për tani në shqip është i përkthyer libri mjaft i mirë [ndoshta nuk gabojmë po të themi që është më i miri] i dijetarit dhe muhadithit të njohur, Muhamed Nasirudin Albanit [Allahu e mëshiroftë] me titull:”Forma e Namazit të Profetit.”

5. Kujdesu për faljen e suneteve para dhe pas namazeve, sepse sunetet të përqendrojnë në farz dhe janë plotësuese të mangësive që kemi lënë në farz.

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Kush i fal 12 rekate në ditë [sunete] i ndërtohet atij një shtëpi në xhenet.” Dhe thotë:”Gjëja e parë për të cilën do merret në llogari robi është namazi, nëse e ka të plotë do i shkruhet i plotë, e nëse ka lënë diçka mangut i thotë Allahu engjëjve: Shikoni a ka robi Im nafile, që me të t’ia plotësoni farzin.” [Transmeton Ebu Daudi, Ibn Maxheh, Ahmedi, e saktësoi Albani]

6. Largohu nga çdo shkak i cili të bëhet pengesë për namazin, qoftë qëndrimi zgjuar natën vonë – gjë që të pengon nga falja e sabahut me xhemat – ushqimi i tepërt në darkë, të qeshurit e tepërt e cila e bën të shkujdesur zemrën, përzierja e tepërt me njerëz sidomos me gjynahqarët apo ata që nuk falen.

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Njeriu është ne fenë e shokut te tij.”

7. Përdor mjetet dhe rrugët që të ndihmojnë për namaz, qoftë ajo zile e kurdisur, ndenja me njerëz të mirë [të ibadetit], t’i lutesh Allahut të të bëjë nga ata që i ruajnë namazet, t’i kërkosh dikujt të të zgjojë për namaz, duke zbatuar kështu fjalën e të Lartësuarit:”Bashkëpunoni në të mira dhe mbarësi dhe mos bashkëpunoni në mëkate dhe armiqësi.” [Maide 2]

8. Të medituarit në ajetet që i lexon ti në namaz apo që i lexon imami dhe thellimi në kuptimet e tyre.

9. Ki parasysh madhështinë e Allahut para dhe gjatë namazit, përkujto cilësitë dhe emrat e Tij, përkujto xhenetin dhe zjarrin, etj.

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem:”Kur të ngrihet ndonjëri prej jush në namaz po i lutet Zoti të tij, prandaj shikoni se si i luteni Atij.” [Transmeton Hakimi,e saktësoi Albani.] Gjithashtu ndihmon në këtë njohja e gjendjes së Profetit salallahu alejhi ue selem në namaz, e sahabëve, e selefëve, leximi i historive të tyre në lidhje me namazin.

10. Kujdesu për dhikret pas namazit dhe mos u ngut të dalësh nga xhamia pa i kryer, sepse ato e zbukurojnë namazin dhe e shtojnë shpërblimin.

Categories

islam

Advertisements
%d bloggers like this: